Në kuadër të projektit Mendo Politikisht janë analizuar programet e disa prej partive që do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Përzgjedhja është bërë në bazë të përfaqësimit në parlament, historikut të partive, parti të reja me mundësi për tu përfaqësuar në Parlament. Një tjetër faktor që ka ndikuar ndjeshëm përzgjedhjen është edhe numri i vogël i partive të regjistruara në zgjedhje (18 parti, krahasuar me 66 parti që morën pjesë në zgjedhjet parlamentare të 2013).

Partitë e përzgjedhura janë: Partia Demokratike, Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet, Partia Republikane, Lista e Barabartë, Partia Bashkimi Demokristian Shqiptar.

Fillimisht duhet thënë se deri në këtë fushatë elektorale, partitë me peshën më të madhe në Parlament nuk kanë paraqitur programe të mirëfillta. Nga monitorimi i realizuar në kuadër të projektit “Mendo Politiksht”, rezulton se në faqet zyrtare të tre partive kryesore gjenden të dhëna si statuti, qëndrime dhe plane në lidhje me çështje të ndryshme, por asnjë program i plotë politik.

Programi i Partisë Demokratike

Partia Demokratike në rubrikën “Qëndrimet” të publikuar në faqen e saj zyrtare, përmend disa herë të drejtat e njeriut, por nuk flet specifikisht për çështjet LGBT.

Për shembull në faqen “Siguria dhe Liria” thuhet: “Të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit, i cili duhet të jetë i bazuar në respekt të të drejtave themelore dhe të patjetërsueshme të individit, sipas Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut të vitit 1948, të Konventës Evropiane të të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut të vitit 1950 si dhe Traktatit e Lisbonës të të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian të vitit 2009”.

Në qëndrimet e Partisë Demokratike për Arsimin  dhe Shëndetësinë flitet për konkurrencë të ndershme dhe të barabartë mes arsimit publik dhe atij privat, meritokraci në punësim dhe integrim  të çdo individi në shoqëri dhe punë por nuk përmendet specifikisht dhënia e shanseve të barabarta për komunitetet e margjinalizuara dhe as konkretisht për LGBT.

Në qëndrimet e PD mbi familjen vihen re nota të heteronormativitetit, ku qartësisht nënkuptohet mbështetja vetëm për familjet heteroseksuale.

Aleanca LGBT dhe Pro LGBT kanë pasur komunikim të vazhdueshëm me përfaqësuesit e Partisë Demokratike në lidhje me Pedalimin Kundër Homofobisë, i cili u zhvillua në të njëjtën ditë me protestën e Partisë Demokatike. Dy organizatat morën garanci direkte nga kryetari i kësaj partie për mbarëvajtjen e Paradës, e cila u mbajt pa asnjë incident.

Programi i Partisë Socialiste

Në faqen zyrtare të Partisë Socialiste programi i fundit i publikuar është i ndarë në 4 kapituj: Rimëkëmbje e Ekonomisë, Ripërtëritje Shoqërisë, Rivendosje e Demokracisë dhe Ribashkim me Evropën. Një tjetër rubrikë e quajtur “Reformat” paraqet në mënyrë të përmbledhur përmes broshurave informacion mbi reformat e ndërmarra në këtë 4-vjeçar, megjithatë duhet thënë se të dhënat në faqen “Programi” në shumë raste janë të ngjashme me ato vitit 2013.

Në sesionin “Ripërtëritja Shoqërore” të këtij programi theksohet ofrimi i shërbimeve publike cilësore pavarësisht orientimi seksual.

Aleanca LGBT dhe Pro LGBT i kanë dërguar një letër të hapur Kryeministrit Rama, ku e ftonin për të marrë pjesë në Pedalimin kundër Homofobisë dhe për të mbajtur një qëndrim publik në mbështetje të të drejtave të komunitetit LGBT. Kryeministri Rama apo përfaqësues të Partisë Socialiste nuk morën pjesë në pedalim dhe Partia Socialiste ende nuk ka mbajtur një qendrim zyrtar për çështjet me rëndësi për komunitetitin LGBT.

Megjithatë Kryetari i saj në një debat televiziv me gazetarin Blendi Fevziu, i është përgjigjur një batute fyese ndaj komunitetit LGBT me fjalët “Të gjithë njerëzit janë të barabartë dhe të respektuar”.

Programi i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim

Lëvizja Socialiste për integrim (LSI) është aktualisht pjesë e koalicionit të majtë me 16 mandate në Kuvendin e Shqipërisë. Faqja zyrtare e LSI. Në faqen zyrtare të saj janë publikuar një program për arsimin dhe një plan për zhvillimin ekonomik.

Në sesionin “Pasqyrë e Aktualitetit Shqiptar” të programit të LSI për arsimin, pasqyrohen kritika rreth gjendjes aktuale të institucioneve dhe politikave arsimore. Programi përmend përciptazi çështje të të drejtave të njeriut kur premton shanse të barabarta në arsim dhe mbështetje për komunitetin rom. Por në këtë program mungon vizioni për t’i bërë shkollat një ambient të sigurt dhe të mbrojtur nga fenomeni i bulizmit, që do të ishte një çështje me rëndësi për të rinjtë LGBTI.

Nëse do të marrim në analizë qëndrimin e LSI ndaj çështjeve me rëndësi për komunitetin LGBT në këtë 4-vjeçar, vlen të përmendet se Ministri i Drejtësisë i propozuar nga LSI z. Nasip Naço, ka bllokuar nismën e Ministrisë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për të amenduar nenin 163 që përkufizon konceptin e bashkëjetesës në Kodin e Familjes. Edhe pse  në jurisprudencën ndërkombëtare dhe në Kushtetutën e Shqipërisë e drejta për jetë familjare (jo përkufizimi për martesën) është një e drejtë themelore e njeriut qëndrimi i Ministrit Naço ishte se kjo e drejtë e njeriut “nuk është prioritet”.

Në maj të këtij viti, Aleanca LGBT dhe Pro LGBT, i dërguan një letër kryetarit të LSI në atë kohë, Z. Ilir Meta. Letra ishte nje ftesë për pjesëmarrje në pedalimin e 6-të kundër homofobisë, ku asnjë përfaqësues i kësaj partie nuk mori pjesë. Njëkohësisht në të shprehej shqetësimi se pavarësisht qëndrimit akomodues ndaj aktivistëve LGBTI, kjo forcë politike nuk ka folur asnjëherë publikisht për të drejtat e këtij komunitetit, që janë pjesë e prioritetit të pestë të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Programi i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet është pjesë e koalicionit të majtë në Kuvendin e Shqipërisë, ku përfaqësohet me 4 mandate.  Faqja zyrtare e PDIU është e përditësuar me informacione dhe e pajisur me një sesion mbi programin elektoral.

Në programin e fundit zgjedhor që gjendet në faqen e PDIU, ka një pjesë dedikuar të drejtave të njeriut. Ndër arritjet e PDIU në këtë aspekt përmendet “Mbështetje e pakufizuar për ligjin “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi” si një fuqi e re në legjislacionin shqiptar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. 

Por “Qëllimet” që PDIU ka për të drejtat e njeriut, pasqyrojnë vetëm pjesërisht Nenin 1 të ligjit “Për Mbrojtjen nga Diskriminim”. PDIU përmend: “Ndalimin e çdo lloj diskriminimi pavarësisht nga origjina, raca, seksi, gjuha, bindjet politike, arsimi, profesioni apo gjendja shoqërore”, duke mos përmendur ndalimin e diskriminimit për shkak të identitetit gjinor dhe orientimit seksual.

Nëse përtej qasjes programore do të marrim në shqyrtim edhe qëndrimet dhe deklaratat e përfaqësuesve të kësaj partie në këtë 4-vjeçar, vlen të thuhet se PDIU ka kundërshtuar me forcë ndryshimet ligjore që do t’i hapnin rrugë bashkëjetesave mes të njëjtës gjini. Deputetë të PDIU në deklarata publike e kanë cilësuar kundërshtimin ndaj çështjeve me rëndësi për komunitetin LGBT si “kauzë dhe arritje të kësaj force politike”.

Programi i Partisë Republikane

Partia Republikane është një parti konservatore e spektrit të djathtë e cila aktualisht ka tre mandate në Kuvendin e Shqipërisë. Në faqen zyrtare të Partisë Republikane janë publikuar qëndrimet e saj për 4 çështje kryesore, një prej të cilave mban titullin “Atdheu, Familja, Prona”, të cilat PR i quan shtyllat e identitetit republikan.

Kjo parti nuk e përmend diskriminimin për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor, as në sesionin “Ndërtimi i një Qeverie Kushtetuese të Programit të PR” ku flitet për luftën kundër diskriminimit, “Ne republikanët, e konsiderojnë diskriminimin në bazë të gjinisë, racës, moshës, fesë, besimit, paaftësisë, ose origjinës kombëtare të papranueshëm dhe imoral”, thuhet në program.

Partia Republikane i klasifikon bashkëjetesat mes së njëjtës gjini si “kërcënim serioz i importuar nga vendet e tjera”. Madje vazhdon më tej duke mbrojtur martesën tradicionale me disa argumente të bazuara në hamendësime. “Fëmijët që rriten në familje të martuara kanë më shumë gjasa për të studiuar në universitete, janë fizikisht dhe emocionalisht më të shëndetshëm, kanë më pak të ngjarë të përdorin drogë ose alkool, të angazhohen në krim, ose të kenë shtatzëni jashtë martesës”, thuhet në programin e PR.

E njohur edhe më parë për qëndrime negative alogjike ndaj homoseksualizmit, në programin e fundit që gjendet i publikuar në faqen internetit, Partia Republikane ka kërkuar kriminalizimin e homoseksualizmit dhe e ka quajtur atë një formë drogimi, “Të ndalohet me ligj  homoseksualizmi si përmbysje e senseve të natyrës njerëzore dhe i çdo propagande në favor të përhapjes se drogimeve të ndryshme”.

Programi i Partisë Lista e Barabartë

Lista e Barabartë (LIBRA) është një parti e re e krijuar në nëntor të vitit 2016 e cila e përcakton veten si organizatë politike të qendrës. Kjo parti u themelua nga Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi, dy ish-deputetë të Partisë Socialistë, të cilët janë aktualisht pjesë e Kuvendit të Shqipërisë.

Në Manifestin e publikuar në faqen zyrtare të kësaj partie thuhet: “LIBRA nuk paragjykon askënd për shkak të etnisë, gjinisë, pasurisë, moshës, përkatësisë fetare, orientimit seksual apo bindjeve të mëparshme politike dhe do të inkurajojë dhe nxisë mendimin ndryshe në të gjithë veprimtarinë e saj politike”.

Programi i Partisë Bashkimi Demokristian Shqiptar

Kjo parti përfaqësohet në Parlament me një mandat, atë të kryetarit të saj Eduart Ndocaj. Në mungesë të informacioneve rreth statutit apo programit të kësaj partie, i vetmi informacion rreth qëndrimeve të saj ndaj çështjeve me rendësi për komunitetin LGBT janë deklaratat publike të kryetarit Ndocaj. Gjatë një interviste për emisionin “Të paekspozuarit”, ai ka shprehur me krenari qëndrimin e tij si demokristian kundër komunitetit LGBT duke vazhduar më tej me një fyerje të qartë, ku krahason LGBT me një targë makine.