Gjatë punës së vazhdueshme për monitorimin e medias vihet re se së fundmi është shtuar ndjeshëm mbulimi mediatik dhe raportimi për çështje që lidhen me komunitetin LGBT. Rritja e vëmendjes është shoqëruar edhe nga deklarata diskriminuese dhe denigruese  të përfaqësuesve të politikës shqiptare.

Më poshtë gjeni një përmbledhje të reagimeve që deputetë, kryetarë partish dhe figura të ndryshme të politikës kanë bërë në lidhje me komunitetin LGBT.

Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, ka dhënë një mesazh diskriminues në 13 maj, ditën kur zhvillohej pedalimi i 6-të kundër homofobisë në Tiranë.

Në një tjetër dalje të tij Nard Ndoka, ish-ministër i shëndetësisë, e konsideron ende homoseksualitetin si një sëmundje, duke thënë se Parlamenti shqiptar  “Nuk është imun nga të tilla devianca”.

Nuk kanë munguar as fyerjet nga personazhe të politikës shqiptare si Eduart Ndocaj, deputet dhe kryetar i PBDKSH.  Gjatë një intervistë për emisionin “Të paekspozuarit”, ai shpreh me krenari qëndrimin e tij si demokristian kundër komunitetit LGBT duke vazhduar më tej me një fyerje të qartë, ku krahason LGBT me një targë makine.

Mesila Doda, deputete e PDIU, është shprehur gjatë një debati në emisionin “Opinion” të datës 18 maj 2017, se një ndër kauzat kryesore që partia e saj ka mbajtur në këtë 4 vjeçar ishte mos lejimi i martesave brenda të njëjtës gjini.

 

Tritan Shehu, Drejtues i Departamentit të Shëndetësisë në Partinë Demokratike, mendon se hapja e rrugës për bashkëjetesat mes personave të së njëjtës gjini do të shkatërrojë të ardhmen e fëmijëve, familjen dhe traditën e tij dhe të njerëzimit.

* Publikimi i këtyre deklaratave bëhet me qëllim që t’ju kujtojë politikanëve se nuk janë zgjedhur për të shperndarë urrejtje e për të diskriminuar por për të përfaqësuar denjësisht votuesit e tyre, pjesë e të cilëve janë edhe personat LGBTI. 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *